Klasa III – Në të Pamundurën – Strategji të Zhdrejta

Të gjithë përjetojmë bllokime krijuese, momente dyshimi dhe hezitimi kur përballemi me punën tonë. Në vitin 1975, muzikanti Brian Eno dhe artisti Peter Schmidt shpikën Strategjitë e Zhdrejta – një set me 113 kartela në një kuti të vogël të zezë, që ofronin një mënyrë lozonjare për të kapërcyer këto ngërçe. Duke tërhequr një kartelë të rastësishme, merret një udhëzim (i fshehtë, i paqartë, i pamundur apo poetik), i cili, nëse ndiqet, ndihmon për të dalë nga stagnimi krijues – duke të çuar drejt shtigjeve të papritura, duke të detyruar të bësh atë që nuk di si ta bësh, dhe duke të shpënë në vende që nuk i ke imagjinuar kurrë. Këto kartela janë përdorur gjerësisht në prodhimin muzikor (Brian Eno ka punuar me U2, David Bowie dhe Phoenix), duke sjellë eksperimentim në një botë shpeshherë shumë të strukturuar si muzika pop.

Por ajo që funksionon në muzikë, vlen edhe për artin – si për artistët, ashtu edhe për kuratorët. Ky workshop do të fokusohet në studimin e kartelave origjinale dhe krijimin – më saktë, shpikjen – e një seti të ri të përshtatur për kuratorë dhe artistë pamorë. Pjesëmarrësit do të mësojnë të përqafojnë zhdrejtesinë, të sfidojnë pritshmëritë, të shmangin rrugët e lehta, të surprizojnë, të mendojnë ndryshe, të dalin nga shtegu, të refuzojnë formulat dhe të mos përsërisin atë që tashmë e dinë. Me fjalë të tjera, do të mësojnë të jenë vetvetja. Një nga kartelat origjinale thotë “Në të Pamundurën” – kjo do të jetë pika jonë e nisjes dhe motoja e workshopit tre-ditor. Në përfundim, pjesëmarrësit do të largohen me një set të ri kartelash të shpikur në mënyrë kolektive.

Klasa do të zhvillohet në gjuhën angleze.

Për t’u bërë pjesë e klasës, ju lutemi regjistrohuni në linkun më poshtë jo më vonë se data 12 Maj:
https://forms.gle/Kgfs4XPRDMpqftQm7

Thibaut de Ruyter

Thibaut de Ruyter është arkitekt, kurator dhe kritik franko-gjerman, me bazë në Berlin që nga viti 2001. I trajnuar si arkitekt, ai i qaset ekspozitave në nivele konceptuale, teknike dhe hapësinore, duke formësuar si përmbajtjen ashtu edhe dizajnin. Interesat e tij përfshijnë arkeologjinë mediatike, ndërthurjen mes artit dhe arkitekturës, si dhe skenat artistike të vendeve ish-socialiste, me fokus të veçantë në Azinë Qendrore.

Ai ka kuruar një sërë ekspozitash, përfshirë: Wach sind nur die Geister (HMKV, Dortmund, 2009), Nam June Paik Award (Düsseldorf, 2010), Artificial Intelligence (Digitale Demenz) (Berlin, 2015), dhe 26 x Bauhaus (Berlin, Bremen, Mynih, 2019). Në vitin 2021, ai ka kuruar Bienalen e 14-të të Muzeut në Krasnoyarsk, ku 35 artistë me bazë në Berlin dhanë udhëzime për vepra arti të realizuara në vend.

Projektet e tij të fundit përfshijnë një retrospektivë të IRWIN (Dortmund, 2023), një ekspozitë për skenën artistike të Kosovës (Prishtinë, 2023), një shfaqje me artistë në rrezik në IFA-Galerie Berlin (2025), dhe The Name of Samarkand në Art Station Samarkand (2025).

Ai ka kontribuar në revista si L’Architecture d’Aujourd’hui, Artpress, Frieze D/E, dhe është bashkë-redaktor i librave si Zeitgeist dhe Stadtbild. Është anëtar i AICA-France, bordit të Fondacionit Nan Hoover, dhe bordit këshillues të ICA Yerevan.

Klasat e Majit 2025 mbështeten nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, KCSF dhe SMART Balkans.