11.12.2025 / 18:00
Kah po nisen dallëndyshet?
Redina Qose
“Kah po nisen dallëndyshet?’ përfshin tre vepra që shqyrtojnë në mënyrë kritike dimensionet emocionale dhe politike të migrimit në Evropë.
Përmes lenteve të artit bashkëkohor, këto vepra dekonstruojnë narrativat dominuese të migrimit, duke ekspozuar dobësitë sistemike dhe hapësirat e ndërmjetme të banuara nga të zhvendosurit. Ekspozita fton për një reflektim social e teorik mbi etikën e kufijve dhe koston njerëzore të praktikave përjashtuese brenda kontekstit evropian.
—
Redina Qose (lindur më 1996 në Patos, Shqipëri) aktualisht jeton dhe punon në Tiranë. Ajo ka përfunduar studimet në Multimedie në Universitetin e Arteve në Tiranë në vitin 2019. Praktika e saj artistike shtrihet në disa mediume, në artin vizual dhe konceptual, si video arti, performanca dhe tekstil, duke reflektuar mbi narrativa që nxisin mendimin kritik. Puna e saj eksploron tema si migrimi, identiteti, besimet, kujtesa dhe çështjet shoqërore.
Në praktikën e saj ajo reflekton gjithashtu mbi traumën ndërbreznore, duke shqyrtuar mënyrën se si kontekste historike dhe sociale vijojnë të ndikojnë realitetet bashkëkohore në Shqipëri. Nëpërmjet një qasjeje konceptuale dhe poetike, ajo krijon vepra që ndërthurin përvojat personale dhe kolektive. Duke nisur shpesh nga vëzhgimi dhe dokumentimi i realiteteve shoqërore, ajo i shndërron këto në narrativa vizuale me disa shtresa kuptimore.
Interesi i saj qëndron jo vetëm te rrëfimi personal, por edhe te shqyrtimi i strukturave më të gjera sociopolitike që ndikojnë subjektet e punës së saj. Redina ka marrë pjesë në rezidenca artistike në Krakov (Poloni) dhe Grac (Austri). Ajo është gjithashtu bashkëthemeluese e Fora Magazine, një platformë e pavarur editoriale e dedikuar kulturës dhe artit.