Një Cikël i Ri: Ngadalësim, Bashkë-krijim, Transformim
Reflektim, Kujdes dhe Veprim Kolektiv
Shtatëmbëdhjetë ka qenë prej kohësh i përkushtuar në krijimin, mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e hapësirës — jo vetëm për shprehje artistike, por edhe për dialog, reflektim dhe prani kolektive. Në një kontekst ku hapësira publike ishte e neglizhuar, e braktisur ose e privatizuar, dhe ku mundësitë për takime të lira dhe eksperimentale ishin të pakta, Shtatëmbëdhjetë reagoi duke rikthyer dhe riimagjinuar hapësira ku idetë dhe komunitetet mund të rriteshin së bashku.
Në zemër të kësaj përpjekjeje, Galeria 17 u shfaq jo si një galeri tradicionale, por si një forum i gjallë — një hapësirë ku ekspozitat shndërroheshin në biseda, ku historia takonte eksperimentimin dhe ku komuniteti merrte formë përmes praktikës. E vendosur në një punëtori automekaniku të viteve 1960, në qendrën historike të Prishtinës, galeria ruajti gjurmët materiale të së kaluarës së saj, ndërkohë që u hap ndaj ideve të reja.
Nga viti 2021 deri në 2025, Galeria 17 u konsolidua si një pikë referimi kyçe në peizazhin e artit bashkëkohor në Kosovë. E ankoruar në tema si Skanimi i Rajonit, Techne, Arkivimi i Tranzicionit dhe Ekologjia Queer, ajo u ndërtua përmes vetë-iniciativës, mbështetjes së komunitetit dhe një fushate kolektive për mbledhje fondesh, duke dëshmuar fuqinë e infrastrukturës së pavarur.
Gjatë ciklit të saj të parë, mbi 23,450 persona hynë në hapësirë jo si vizitorë pasivë, por si pjesëmarrës në një proces të përbashkët. Përgjatë katër viteve, Galeria 17 realizoi mbi 140 programe publike — përfshirë 16 ekspozita madhore, 15 prezantime pop-up dhe 28 formate të bazuara në VR që angazhuan 2,063 persona, krahas punëtorive, ligjëratave dhe sesioneve të të nxënit kolektiv. Veprimtaria e saj u mbështet nga 96 artistë ekspozues, 11 kuratorë dhe mbi 200 kontribuues, si dhe nga mbi 120 ture të udhëhequra, programe familjare dhe takime informale që siguruan qasje për moshat dhe prejardhjet e ndryshme. Programet ndërdisiplinore të Klasave të Majit e zgjeruan më tej këtë peizazh shkëmbimi, duke bashkuar mbi 100 pjesëmarrës dhe mbi 10 kontribuues ndërkombëtarë në hapësira që e zbehën kufirin mes të nxënit, dialogut dhe eksperimentimit.
Përmes këtij aktiviteti, Galeria 17 modeloi mënyra të reja të punës — duke profesionalizuar punën artistike, forcuar bashkëpunimin, avancuar dokumentimin dhe vetë-historizimin, dhe duke dëshmuar se institucionet e pavarura nuk janë plotësuese, por thelbësore.
Që nga viti 2026, Shtatëmbëdhjetë hyn në një fazë të re tranzicioni, duke u përgatitur për ciklin e saj të ardhshëm strategjik (2027–2031). Pas një periudhe të karakterizuar nga prodhimi intensiv, ne e kemi parë të nevojshme që të ngadalësojmë procesin e punës, për të kaluar nga urgjenca tek qëndrueshmëria afatgjate, nga rezultati tek procesi. Ky ndryshim nuk është vetëm praktik, por edhe etik: një angazhim ndaj kujdesit, reflektimit dhe marrëdhënieve të qëndrueshme.
Strategjia e re do të fokusohet te mjedisi dhe klima jo vetëm si çështje ekologjike, por si pyetje se si jetojmë së bashku, si e ndajmë hapësirën dhe si lidhemi. Përtej botës njerëzore, në marrëdhënie me botët më-se-njerëzore. Na fton për afërsi në vend të ndarjes, për reciprocitet në vend të shfrytëzimit.
Në përputhje me këtë zhvendosje, edhe Galeria 17 do të kalojë në transformim. Besnike ndaj metaforës së saj fillestare — guaskës së detit që rritet bashkë me banorin e saj — galeria do të shkojë përtej mureve fizike dhe do të zë vend në kopshtin e Rezidencës 17. Aty, ajo do të evoluojë në një platformë fluide dhe reaguese, ku shprehja artistike takohet me kërkimin ekologjik, rezidencat afatgjata dhe kërkimin kolektiv përmes ekologjisë queer.
Ajo që ndryshon është forma. Nga ekspozita fikse dhe programe tematike drejt proceseve poroze dhe në zhvillim, të formësuara nga moti, toka, stinët dhe marrëdhëniet. Ajo që mbetet është fryma e gjithëpërfshirjes, reflektimit kritik dhe eksperimentimit që e përkufizoi ciklin e parë.
Ky tranzicion nuk është thjesht organizativ, është filozofik. Ai na fton të riformulojmë kreativitetin si kujdes, bashkëpunimin si ekologji dhe strategjinë si autorësi të përbashkët.
Mbi të gjitha, është një ftesë.
Ne i bëjmë thirrje komunitetit tonë, bashkëpunëtorëve dhe partnerëve që të bashkohen në formësimin e këtij cikli të ri. Qoftë përmes bisedave, ushqimit, eksperimenteve apo momenteve të reflektimit. Çdo gjest paloset në një të ardhme që nuk i përket njërit, por shumëkujt.