Shtatëmbëdhjetë për të jetësuar galerinë dhe misionin e vet, nisi kampanjën për mbledhjen e fondeve përmes KosovaIdeas, ku falë kontributit të 192 mbështetësve dhe shumë të tjerëve, të angazhuar në prapavijë, u arrit qëllimi i kampanjës. Kësaj nisme iu bashkuan edhe artistët/et vendor/e, duke organizuar ankandin e shitjes së veprave të artit, ku një shumë nga shitja e tyre u nda për mbështetjen e Galeria 17. Mobilizimi dhe mbështetja e tillë janë rikujtues për punën që Shtatëmbëdhjetë bën dhe atë që Galeria 17 do të sjell për gjithë komunitetin artistik dhe përtej. Përkrahja e tillë ngrit zërin edhe njëherë mbi rëndësinë e institucioneve të pavarura dhe gjithëpërfshirëse, të cilat ofrojnë struktura cilësore në shërbim të infrastrukturës së munguar dhe tejet të nevojshme për kontekstin tonë.





