10/11/2022 – 30/11/2023
“I am not a posthumanist; I am who I become with companion species, who and which make a mess out of categories in the making of kin and kind. Queer messmates in mortal play, indeed”. – Donna Haraway
Duke u hapur ndaj historive të ndërlidhura me sistemin shkatërrues mjedisor, ne kuptojmë që etika e njeriut të sotëm është e rënduar nga qëndrimi dominues karshi natyrës dhe botës natyrore. Shkatërrimi i mjedisit disi po e legjitimon dominimin kolonial dhe ne tashmë po përballemi me format e shumta të zhdukjes dhe shuarjes. Prandaj edhe nevoja për tu ndalur tek ndërveprimi mes organizmave dhe mjedisit tonë veprues, nxjerr në pah rolin tonë në këtë mes. Ne si “specie shoqëruese”, referuar Dona Haraway, çlirohemi nga kontrolli (ç)njerëzor e posthuman mbi bimët, kafshët e natyrën. Kështu ftohemi të ndërveprojmë me botën natyrore përreth duke e pranuar bashkë-prezencën, një çështje esenciale e të bashkëjetuarit e bashkëvepruarit në rrjetin e ekosistemeve sot.Duke iu referuar Queer ecology ne i bëjmë thirrje vetes para së gjithash për të reflektuar dhe vepruar mbi dekolonizimin e të kuptuarit të natyrës dhe botës natyrore; duke i dhënë jehonë dallimeve dhe përqafuar lulëzimin prej shumë speciesh. Andaj, duke tentuar t’i zgjerojmë kufijtë e komunikimit mes artistëve e krijuesve të ndryshëm, Galeria 17 shndërrohet në varësi të nevojave të vet artistëve/e e komunitetit. Në këtë rast Yll Xhaferi dhe DYVÓ, ftohen të ndajnë hapësirën e galerisë si hapësirë pune. Galeria shndërrohet në hapësirë sa intime aq edhe të hapur, sa personale aq edhe publike, sa eksperimentale aq edhe krijuese, sa kërkimore aq edhe ekspozuese.
Artistët/et pjesëmarrës/se do të kontribuojnë në çështje të ndryshme mjedisore dhe sociale, përmes një procesi të hapur punues, edukues dhe vetëdijësues. Ata përpos që do të ndajnë përvojat e tyre profesionale dhe personale me njëri/a-tjetrin/ën, po ashtu do të kultivojnë empatinë karshi mjedisit dhe drejtësisë sociale me publikun e gjerë. Teoristë/e, artistë/e, ekologjistë/e, e aktivistë/e të ambientit dhe kulturës do t’i bashkëngjiten kësaj nisme për të kontribuar në perspektiva të ndryshme ndaj ambientit, të cilat hapin rrugë për të shqyrtuar çështje me rëndësi sociale, kulturore e mjedisore, nga perspektiva queer. Galeria e hapur për publik, do të shërbejë si klasë ligjërimi, si studio punuese, hapësirë komunikimi e reflektimi, nikoqire e ligjëratave mysafire, laborator eksperimentimi, ku si rrjedhojë pjesëmarrësit bashkërisht do të ndërtojnë një ekspozitë, e cila edhe do të shënojë ekspozitën e parë nën temën Queer Ecology.
Meqë Yll Xhaferi dhe DYVÓ në praktikat e tyre profesionale trajtojnë çështjet mjedisore, kjo periudhë bashkëpunimi do të hapë rrugë për komunikim dhe gjithëpërfshirje me aktorë tjerë të ndryshëm të çështjeve mjedisore në vend. Galeria e shndërruar në studio pune, këtë herë do luaj rolin e shartimit në mes të edukimit jo formal, studios eksperimentale, ekologjisë dhe perspektivës queer, duke shërbyer në vazhdimësi si hapësirë reflektimi, veprimi e ekspozimi.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Po ashtu nga Zyra e Presidentes së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës.