In the Making II / Hapja e ekspozitës

Artist: Dardan Zhegrova

17.10.2023 – 01.12.2023
Hapja: 17.10.2023, 19:00h


Art made by the people and for the people as a joy for the maker and the user,” (…),William Morris.


Është tejet interesante mbas një shekulli e gjysmë t’i kthehemi lëvizjes reformuese “Arts and Crafts” dhe të shohim sa relevante është ajo edhe sot. Të kuptojmë që përgjatë revolucionit të dytë industrial – atëherë kur edhe i nxitohej shekullit të tregtisë dhe konsumit – lëvizja “Arts and Crafts” bënte thirrje për vlerësimin e mjeshtërisë së krijuesëve/eve; i bënte jehonë vërtetësisë, thjeshtësisë dhe bukurisë së materialit, rëndësisë së natyrës si frymëzim dhe dobisë si përfundim. Nga kjo mësojmë se zhvillimi shoqëror çuditërisht në çdo kërcënim shoqëror, politik e ekonomik, kthehet tek formësimi i vet bazik, intuitiv e i varur nga natyra. Edhe tani, në një kohë kur kriza klimatike gëzon qendrën e diskutimeve, si dhe ku kapitalizmi i mirëqenies ka zënë vend, artisan-i po shihet si një mjet rebelimi dhe komunikimi. Mbase, kjo sepse historikisht, (arti)zan-i njihet si mjet i mbijetesës, fuqizimit vetanak, lumturisë në punë dhe përfundimisht mjet i rezistencës kundër shtypjes. Që nga vitet 50-ta – së fundi madje me intensitet edhe më të madh – DIY po ashtu fuqizon vlerësimin e mjeshtërisë vetanake, i bënë jehonë vërtetësisë, thjeshtësisë dhe bukurisë së materialit, kostos së ulët dhe dobisë si përfundim. Andaj, në kohë reflektimi kritik, rikthimi tek ‘‘shkolla e vjetër‘‘ e krijimit dhe prodhimit, jo vetëm që vjen natyrshëm por është akt i mbijetesës, komunikimit e bashkëveprimit.
Duke iu referuar krizës klimatike, ne duhet pranuar, që të gjithë kemi rol aktiv, pa përjashtim. Mjerisht, thirrjet për ndryshim nga nivelet qëndrore shpesh mbeten thjesht retorikë, në ndërkohë që veprimet konkrete të të gjitha niveleve janë bërë urgjencë. Andaj, iniciativa të vogla, komunitete periferike dhe grupe të ndryshme po veprojnë drejt nxitjes së shoqërisë për pjesëmarrje dhe ndryshim. Industritë kreative, janë po ashtu bashkë pjesëmarrëse në krizën klimatike, nga shumë pikëpamje. Njëra nga industritë, të cilës i referohet këtë herë Queer Ecology – In the Making II, është ajo e tekstilit – si njëra nga industritë më ndotëse të planetit. Ajo jo vetëm që prodhon tonelata mbetjesh, të cilat përfundojnë në deponi mbeturinash, por për më shumë produktet e tyre gjenerojnë tonelata mikroplastikash, që cenojnë jetën nënujore po ashtu. Është krejtësisht e pafalshme se si njeriu vepron kundër biodiversitetit nga i cili vet varet; Ideon, ngrit e lartëson industri, të cilat jo vetëm që i kundërvihen, por veprojnë në vazhdimësi, duke e cenuar rrjetin e ekosistemeve sot. Prandaj, ftohemi të gjithë bashkë, të ndërveprojmë me mjedisin tonë veprues, duke i bërë thirrje vetes para së gjithash për të reflektuar dhe vepruar mbi dekolonizimin e të kuptuarit të natyrës dhe botës natyrore; duke i dhënë jehonë dallimeve dhe përqafuar lulëzimin prej shumë speciesh, pa e cenuar atë dhe pa e privuar as edhe një specie nga të bashkëjetuarit në planetin Tokë.
Andaj, Galeria 17 e shndërruar në një ambient të gëzueshëm pune, ka mirëpritur fëmijë të grupmoshave 6-13, që bashkë me artistin Dardan Zhegrova, të kontribuojmë sado pak në këtë çështje të ndjeshme mjedisore dhe sociale, përmes një procesi të hapur punues, edukues dhe vetëdijësues. Mbetje tekstili personale të fëmijëve pjesëmarrës/e, janë ripërdorur përmes artisan-it, për t’i i dhënë jetë kukullave – të krijuara nga imagjinata e tyre – të cilat gjitha së bashku do të tregojnë një përrall që flet për bashkëjetesën midis ngjashmërive dhe dallimeve. Një shfaqje e radhës, e treguar nga fëmijët këtë herë – një mësim për të rriturit/rriturat si duhet parë botën në planetin Tokë. Kështu ata/ato na ftojnë të ndërveprojmë me botën përreth duke e pranuar bashkë-prezencën, një çështje esenciale e të bashkëjetuarit e bashkëvepruarit në rrjetin e ekosistemeve sot. – Fitore Isufi Shukriu

Dardan Zhegrova në bashkëpunim me fëmijët / Aksa Hashani, Alea Limani, Alea Piliqi, Alina Ajnuni, Alp Gashi, Alp Mehmeti, Amra Blakaj, Ana Lumi, Ana Shehu, Anika Jerliu, Anisa Neziri, Arina Kllokoqi, Artina Latifi, Bora Zeqiraj, Borena Hoxha, Bruno Nasha, Buna Hasanpapaj, Dafina Gashi, Daris Durguti, Diell Rexha, Diona Haziri, Drilon Hyseni, Dua Sejdiu, Elena Kamberi, Elisa Shulemaja, Ema Basha, Engjëllusha Kadriu, Era Ahmetaj, Era Cej, Era Lokaj, Erda Burani, Erika Dili, Erina Sejdiu, Erina Zymeri, Erza Binaj, Esila Gashi,Esra Isufi, Fron Krasniqi, Gegë Kaçamaku, Hana Bardhaj, Hana Nekoviqi, Hanisa Pllana, Harmoni Osmani, Harpa Nimani, Hera Krasniqi,Iris Velija, Juna Buleshkaj, Kiara Pajaziti, Kron Begolli, Kron Krasniqi, Leart Matoshi, Lir Bislimi, Lisa Dika, Lisa Saqipi, Luana Tahiri, Margo Salihu, Marta Kasumi, Matin Maloku, Medina Peci, Mia Bajrami, Mira Hoxha, Morea Namani, Narta Krasniqi, Nil Lubishtani, Nina Mustafa, Noah Hoti, Noar Sejdiu, Olsa Gallopeni, Puhiza Miftari, Renea Sopian, Riga Rashidi, Rigon Bytyqi, Rineta Mekaj, Ro Shukriu, Roi Blakaj, Rrita Canolli, Rron Dobroshi, Teo Zeqiraj, Tiar Sheqiri, Tiara Beshiri, Tiara Kolgeci, Tuana Bajrami, Tuana Rexhepi, Una Kacandolli, Viktoria Ibrahimi, Vjosa Sopjani, Yllka Hajdari, Zoé Luci Jouffre.