In the Making III / Hapja e ekspozitës

 Dion Zeqiri and Nina Kuttler

08/10/2024 – 22/11/2024

Artistët pjesëmarrës, Nina Kuttler dhe Dion Zeqiri, janë ftuar të kontribuojnë në çështje të ndryshme mjedisore dhe sociale, përmes një procesi të hapur punues, edukues dhe vetëdijesues. Galeria e hapur për publik për afër një muaj, ka shërbyer si studio punuese, hapësirë komunikimi e reflektimi, po ashtu si një laborator eksperimentimi e veprimi. Si rrjedhojë artistët bashkërisht kanë ndërtuar ekspozitën “In the Making III”, e cila e shënon ekspozitën e radhës nën temën Queer Ecology.

Ekspozita “In the Making III” shpalos rëndësinë e bashkëpunimit mes specieve të mikrokozmosit për të arritur një baraspeshë të qëndrueshme në makrokozmos. Ky proces sfidon konceptet tradicionale të hierarkisë natyrore dhe promovon një ekologji më gjithëpërfshirëse. Njeriu, si një komponent i rëndësishëm i këtij makroorganizimi, shpesh keqpërdor rolin e tij në këtë makro-organizim, duke ndikuar negativisht në sistemin ekologjik, çka sjell varfëri dhe pasiguri mjedisore. Roderick Frazier Nash në librin e tij “The Rights of Nature”, thekson se “natyra nuk është një aset për shfrytëzim; ajo është një partner me të drejta të pavarura”. Megjithatë, politikat kapitaliste të pranishme në shumë vende, e transformojnë natyrën në një “treg të hapur” për shfrytëzim, duke krijuar një paralele moderne me pabarazitë historike të klasave dhe duke ngjallur qasje kolonialiste në emër të shkëmbimit të “mirësisë”. Kështu, vendet në zhvillim shpesh shihen vetëm si burime për të eksploatuar, përderisa vendet e zhvilluara i marrin pasuritë natyrore si të mirëqena dhe si burime të pafundme për përdorim. Punimet e artistëve Nina Kuttler dhe Dion Zeqiri, ofrojnë reflektim të thellë mbi këto çështje. 

Nina Kuttler, me punën e saj No Sun No Moon, eksploron potencialet e fiksionit për të rimenduar realitetet bashkëkohore, duke bashkuar të dhënat e marra nga Instituti hidormeteorologjik në Kosovë. Përmes hartëzimit të cilësisë së ajrit, ajo glorifikon performimin kontrollues mbi ajrin dhe shitshmërinë e tij. Kështu, ajo shqyrton shfrytëzimin kapitalist të ajrit si një burim natyror, duke imagjinuar një të ardhme distopike, ku ajri i pastër komercializohet. Ajo e përkthen këtë në kontekstin Kosovar, ku ajri i pastër korret nga vende si Parku i Gërmisë, në Prishtinë dhe shitet për fitim. Ndërkaq, instalimi zanor i saj, përfshin reklama për ajrin në shishe që romantizojnë natyrën, duke ritheksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit mbi kapitalizmin e natyrës. Në këtë kontekst, trupi njerëzor si një entitet poroz, me nevojën e tij për të frymuar, përfundon duke u përballur me mbijetesë në një mjedis ku burimet natyrore janë  bërë të kufizuara dhe jo me qasje të barabartë për të gjithë.

Nga ana tjetër Dioni, me punimin  Something Inside, You were whispering, I didn’t notice. pas një procesi hulumtues dhe bashkëpunues me Institutin Mikrobiologjik në Kosovë, ka kultivuar baktere dhe ka testuar ushqimet e dietës së tij, duke reflektuar mbi qasshmërinë e kufizuar në ushqime të sigurta të një vendi në zhvillim. Ri-takimi me mikroorganizmat e trupit të tij, përfshirë probiotikët dhe në veçanti patogjenet, përjetësohet në një instalim skulpturor, duke sfiduar normat e padrejtësisë sociale dhe mjedisore. Përmes formave transparente dhe lojës me proporcione, ai na fton të përballemi me një botë mikroskopike, jo si pushtues të huaj e të frikshëm, por duke përqafuar bashkëprezencën si pjesëmarrës në ciklin e jetës, ku vdekja e një organizmi shënon fillimin e një tjetri.

Fitore Isufi Shukriu

Ekspozita “In the Making III” është pjesë e projektit “Art Space Unlimited” i cili bashkë-përkrahet nga Bashkimi Evropian. Ky aktivitet mbështetet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Goethe Institute, SMART Balkans.