Permanent Raging Presence
Artist: Total Refusal
03/04/2025 – 30/05/2025
Touri i parahapjes : 03/04/2025, 18:00h
Hapja: 03/04/2025, 19:00h
Permanent Raging Presence negocion sferat e punës dhe kohës së lirë përmes shembujve të NPC-ve (personazheve jo-luajtës) në videolojëra – jo si të kundërta, por si dy anë të së njëjtës monedhë: puna dhe riprodhimi i fuqisë punëtore.
“Hardly Working” është një video instalacion etnografik që eksploron kushtet e punës njerëzore nën kapitalizëm. Ai shqyrton ciklet algoritmike të punës që përbëjnë përditshmërinë e personazheve dixhitalë që popullojnë botët e videolojërave për të simuluar “normalitetin”. Struktura e dukshme metronomike dhe përsëritja e përjetshme që i karakterizon ato, shfaqen gjithashtu në Club Stahlbad, një instalacion multimedial që ndjek NPC-të në pistën e vallëzimit. Këtu, paradoksi i ekstazës së koduar shndërrohet në një spektakël të sikletshëm, tipik për argëtimin e detyruar brenda modelit kapitalist të prodhimit.
Në të vërtetë, NPC-të nuk kanë nevojë të riprodhojnë fuqinë e tyre punëtore. Në shumë mënyra, ata janë punëtorët idealë – makineri të Sizifit, për ta thënë ndryshe. Ata nuk lodhen, nuk organizohen, nuk rezistojnë – të paktën nëse funksionojnë siç duhet. Sepse në fund, është defekti(glitch) ai që hap një çarje në derë për t’u arratisur.
Kjo ekspozitë është një bashkëpunim mes Shtatëmbëdhjetë dhe festivalit Ars Electronica, në kuadër të njërit prej katër temave të Galeria 17, Techne.
Rreth Total Refusal:
Guerrila mediatike pseudo-marksiste Total Refusal është një kolektiv artistësh, studiuesish dhe kineastësh që ripërdorin burimet e video-lojërave kryesore për të krijuar narrativa politike në formën e videove, ndërhyrjeve, performancave dhe ligjëratave. Temat e tyre bazohen në studimet kritike të lojërave dhe teorinë sociale, me synimin për të promovuar dhe popullarizuar një të majtë kundër-hegjemonike. Veprat e tyre janë shfaqur në mbi 300 festivale filmi dhe arti, si dhe në hapësira të ndryshme ekspozimi. Që nga themelimi i tyre në vitin 2018, Total Refusal ka marrë mbi 65 çmime dhe përmendje nderi.
—
Kjo ekspozitë mbështetet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Po ashtu nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, SMART Balkans, Austrian Embassy Pristina.