Fjollë Caka
Ne i ndërtojmë qytetet tona, e pastaj ato na ndërtojnë/formësojnë neve. Por kush jemi “ne” e si përfaqësohemi në hapësirë? I “kujt” është qyteti dhe “kush” e bën atë; kush përfaqësohet e kush jo? Si na ndikojnë botëkuptimet e paragjykimet socio-kulturore në bërjen e qyteteve e në raportin me natyrën e njëri-tjetrin? Përmes shembujve ndërkombëtarë dhe vendorë, Fjolla synon të vizuelizojë raportet mes qytetit dhe shoqërisë, si dhe të nxitë rimendimin e koncepteve të të bërit të qyteteve tona më gjithëpërfshirëse, të drejta, të qëndrueshme e më të mençura ndaj klimës.
Fjollë Caka është arkitekte, sociologe e planere urbane nga Prishtina, e shkolluar në vend e rajon, si dhe në Austri e Shtete të Bashkuara të Amerikës. Ajo është angazhuar në projekte të ndryshme vendore e ndërkombëtare që adresojnë çështje të ndryshme rreth planifikimit hapësinor, banimit të përballueshëm, mobilitetit të qëndrueshëm, trashëgimisë kulturore, hapësirave publike dhe memories kolektive, menaxhimin e ndryshimeve klimatike, si dhe ka kontribuar në organizimin e aktiviteteve të ndryshme edukative, kulturore e artistike në vend. Aktualisht është në përfundim të studimeve të doktoratës, me fokus të studimit vendbanimet njerëzore dhe ndryshimet klimatike në Kosovë.
Xhevdet Gegollaj
Arsye, mirësi apo dënim për ambientalizmin? Çfarë mund të ofrojë Permakultura?
Permakultura është kornizë etike transformuese që nxit ndryshime pozitive dhe prosperitet si për natyrën ashtu edhe për njeriun. Si një hapësirë mikpritëse për të gjithë, permakultura e percepton botën vazhdimisht në ndryshim që vepron mbi marrëdhënie komplekse të ndërtuara mbi sinergji, multifunksionalitet, simbiozë dhe ndërvarësi. E nxitur nga nevoja urgjente për të vepruar dhe duke pranuar rolin e Steward-it, permakultura përdor veprime të menduara për ndërhyrje sistematike që shtyjnë përpara drejtësinë mjedisore duke zhvilluar një grup të ri mjetesh, gjuhës, koncepteve dhe politikave mjedisore për angazhimin etik mjedisor në Kosovë. Për një diskutim mbi këto tema, Xhevdet Gegollaj, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Fondacioni Jeshil, do të prezantojë punën e Fondacioni Jeshil në zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme urbane dhe rurale për rritje harmonike në Kosovë, duke përdorur vlerat dhe parimet e Permakulturës.
Shënim: Këto prezantime janë pjesë e programit Edukimi+ në kuadër të ekspozitës In the making.
—
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Po ashtu nga Zyra e Presidentes së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës