Visibility Horizon

23/01/2024 – 22/03/2024

Kuratore: Ana Frangovska

Artistë/e: Elia Kalogianni, Gjorgji Despodov, Kristina Janjić, Sofia Dimova, Valdrin Thaqi

“Gjatë një periudhe të karakterizuar nga pandershmëria, të thuash të vërtetën është një akt që sfidon dhe prish rendin e vendosur”. “Liria është e drejta për t’u thënë njerëzve atë që ata nuk duan të dëgjojnë.” – George Orwell.

Politika e post-të vërtetës dhe mediat mainstream manipuluese formojnë dhe kornizojnë horizontet e dukshmërisë në botën bashkëkohore. Koncepti i post-të vërtetës ka qenë një shqetësim i përhapur në kohët moderne dhe është rrënjosur në peizazhin politik të shoqërive demokratike. George Orwell, në romanin e tij distopian “1984”, portretizon një shoqëri në të cilën regjimi totalitar pohon kontrollin e tij mbi të gjitha fushat kulturore dhe sociale, vendos një gjuhë të veçantë, manipulon ngjarjet historike dhe shtyp ata që i rezistojnë qeverisë.

Në periudha të ndryshme të historisë, mënyra të ndryshme të dukshmërisë krijohen nga pushteti për të kontrolluar shoqërinë (Michel Foucault, “Discipline and Punish”, 1979). Për shkak të kësaj, qeveritë dhe grupet e tjera të fuqishme shpesh krijojnë teknologjinë e një urdhri disiplinor, për të kontrolluar atë që njerëzit shohin dhe si e përjetojnë botën. Kur flasim për rritjen e ekspozimit (dukshmërisë) si një formë njohjeje politike, a nuk është fjala për formësimin dhe riformësimin e së Vërtetës? Për sa nivele të Realitetit (Horizonteve) mund të flasim dhe si të pranojmë dhe zgjedhim se çfarë është e Vërteta dhe çfarë është E rreme apo e Ndryshueshme?

Horizontet e shumta të dukshmërisë mund të theksohen duke treguar se si artistët ndryshojnë mënyrën se si njerëzit përjetojnë dhe ndjejnë informacionin, gjë që i lejon njerëzit të vendosin se çfarë shohin dhe çfarë nuk shohin, çfarë konsiderojnë si të vërtetë dhe çfarë post-të vërtetës. Artistët e rinj të përzgjedhur nga rajoni, pjesëmarrës në projektin Visibility Horizon, përfshirë Kristina Janjić – Serbi, Sofia Dimova – Bullgari, Gjorgji Despodov – Maqedonia e Veriut, Elia Kaloganni – Greqi dhe Valdrin Thaqi – Kosovë, punojnë me perspektiva të ndryshme të “Dukshmërisë ”, duke diskutuar rreth historisë, politikës, sociologjisë dhe komunikimit, masmedias, konsumit, matricës së shoqërisë, pushtetit, ekologjisë, teorisë, njohurive, shkrirjes së horizonteve etj. Punimet e tyre, të realizuara në media të ndryshme, nga instalacioni tek imazhi lëvizës, video animacion, punimet transdisiplinore, eksplorojnë problemet e ndryshme të transmetimit të informacionit dhe njohurive dhe ndërmjetësimin e tyre në shoqëritë e sotme bashkëkohore, nga përballja me Realitetin, tek konsumimi i së Vërtetës së rreme ose të riformuar që vjen nga pjesë të ndryshme të habitusit tonë socio-politik.

Ana Frangovska