Illumination Sounds – Fjolla Voca & Zanë Xhuli

Instalacion

13.12.2023 / 18:00

Ekspozita Illumination Sounds është ndërtuar mbi hulumtimet urbane të kryera në qytetin e Prishtinë. Synimi i projektit ishte të ndriçojë implikimet e kuadrit ligjor që rregullon ndotjen akustike. Struktura aktuale e projektit përfshin dokumentacion kërkimor, analiza dhe regjistrime të përzgjedhura nga tridhjetë e shtatë pika të ndryshme në qytetin e Prishtinës. Projekti fokusohet në një sërë rrugësh në Prishtinë, duke krahasuar rregulloren e ndotjes akustike të zbatuar nga Komuna e Prishtinës më 3 janar 2023, me të dhënat për ndikimin në trupin dhe psikikën e njeriut bazuar në hulumtimin e kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ekspozita është e kuruar si performancë mes dy instalacioneve të ndryshme që komunikojnë me njëri-tjetrin. A zbatohet ligji për ndotjen akustike në zonën e parë të qytetit të Prishtinës? Në sfondin e një nevoje të vazhdueshme për politikëbërje të qëndrueshme, ekspozita hedh dritë mbi mungesën e një kornize ligjore gjithëpërfshirëse për sa i përket ndotjes akustike bazuar në politikat hapësinore urbane në qytetin e Prishtinës.