Nuk i dua retë – Endrit Jashanica

11.12.2023 / 18:00h

Çka kemi nën kontroll, çka marrim nën kontroll, çka zgjedhim të mos marrim nën kontroll. Nëse butoni i kuq me mbishkrimin “mos e prek” preket, atëherë kauzalisht kuptojmë pse nuk duhej prekur. Por a do ta kishim prekur butonin nëse pasojat do t’i dinim paraprakisht. A kontrollohet e panjohura apo njohja vjen përmes tentativës për të kontrolluar? Mundësia për kontroll vjen me problemet e njohjes së pasojave të mundshme. Të kesh, të marrësh, dhe të zgjedhësh mos marrjen e kontrollit ndërlidhet rrënjësisht me njohjen dhe të njohurit. Deri ku shkon njohja dhe mundësia jonë për kontroll? A ka situata të izoluara ku kontrolli na çon te njohja e një tërësie kauzale pa e kaluar vet këtë zinxhir shkakësor, duke e evituar rrezikun e daljes nga kontrolli për shkak të tentativës për kontroll? A arrihet njohja e tërësishme shkakësore në situata të izoluara? Kontrolli ynë na prezanton me zinxhirin shkakësor, ku ne bëhemi pjesë e kontrolluar dhe përpjekja jonë për të kontrolluar ndryshon thelbin tonë.